Rinia Islame Lushnje

Dëmet e alkoolit

Shpërndaje me Postë Elektronike Printoje PDF

Falënderimet i takojnë vetëm Allahut të Madhëruar! Paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të dërguarin e fundit, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që pasojnë udhëzimin e tij deri në ditën e Kiametit!

argaiv1700

Allahu i Madhëruar thotë:Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveç se nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedhë armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit Zotin dhe t’ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkoolit e bixhozit)?[El Maide: 91]

Transmetohet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy ata!) se ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Largojuni alkoolit, sepse ai është çelësi i çdo të keqe." {Es Sahihah 2798}

Alkooli bëhet shkak për dëme tepër të mëdha, ashtu siç kanë thënë edhe dijetarët, e në lidhje me këtë po paraqesim disa nga dëmet e tij:

  1. Alkooli e vret arsyetimin dhe logjikën e shëndoshë.
  2. Konsumuesi i alkoolit është njeri i paqëndrueshëm.
  3. Alkooli bëhet shkak për shpërdorimin e pasurisë.
  4. Shkakton dhimbje koke.
  5. Është gjë e ndyrë, prej punëve të djallit.
  6. Bëhet shkak për nxitjen e sherreve dhe përhapjen e urrejtjes mes njerëzve.
  7. Alkooli pengon nga përmendja e Zotit dhe nga namazi.
  8. Është nxitës për rënien në imoralitet, madje mund të bëj që njeriu të çnderojë nënën, motrën apo të afërmit e tij!
  9. E largon xhelozinë nga zemra
  10. Lë mbrapa ndjenjën e pendesës dhe turpit
  11. Alkoolisti e bën veten të ngjashëm me të çmendurit
  12. Bëhet shkak që njeriu të humbasi virtytet dhe reputacionin e mirë mes njerëzve.
  13. I mvesh njeriut veset dhe epitetet më të këqia.
  14. Mund të bëhet shkak që njeriu të flasi apo tregojë diçka e cila do ta shkatërronte.
  15. Alkooli bën që njeriu t’ia nxjerri të palarat vetes dhe të tjerëve.
  16. E bën më të lehtë bërjen e gjynaheve dhe punëve të këqia.
  17. E nxjerr nga zemra madhështinë e ndalesave të Zotit.
  18. Konsumuesi i rregullt i tij, është i ngjashëm me adhuruesin e idhujve.
  19. Alkooli është nëna e të gjitha ligësive, hapsi i çdo të keqeje, nxitësi për çdo telash dhe penguesi i të gjitha mirësive.
  20. Ai që e pi atë në këtë botë , nuk do ta pijë në botën tjetër.
  21. Konsumuesi i rregullt i tij, nëse vdes pa u penduar, nuk do të hyjë në xhenet.
  22. Allahu nuk ia pranon të dehurit punët e mira.
  23. Ai që pi alkool, nuk është besimtar gjatë kohës që është duke e pirë atë.
  24. Ai që pi alkool ndëshkohet me tetëdhjetë goditje.
  25. Nuk duhet vizituar pijaneci në qoftë se sëmuret, pasi ai është i mallkuar, përveçse nëse pendohet me sinqeritet, e s’ka dyshim se Allahu e pranon pendimin.
 

Dijetari i Islamit Ibën Tejmie (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: "Alkoolistët janë njerëzit që më së shumti nuk e falin namazin dhe rendin mbas kënaqësive dhe epshit, ashtu siç tregon për ta Allahu i Madhëruar: Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveç se nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedhë armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit Zotin dhe t’ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkoolit e bixhozit)?[El Maide: 91]

Pra, ata bashkojnë midis pasimit të epshit të ndaluar, mosmadhërimit të Zotit dhe lënies së namazit, e kështu veprojnë të gjithë zullumqarët."

Transmetohet nga Ebi Musa el Eshari se I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Nuk do të hyj në xhenet pirësi i rregullt i alkoolit, ai që beson tek magjia dhe ai i cili i shkëputë lidhjet farefisnore." {Es Sahihah 678}

Transmetohet nga Ebi ed Derda (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Nuk do të hyjë në xhenet mosrespektuesi, as pirësi i rregullt i alkoolit dhe as ai i cili përgënjështron kaderin (Paracaktimin e Allahut.). " {Es Sahihah 675}

 

O ju muslimanë:

Jo më kot alkooli është quajtur nëna e ligësive. Ai është çelësi i së keqes dhe prishjes. Prej tij njeriu e humb jo vetëm logjikën por edhe besimin, ashtu siç përmendet në thënien profetike …nuk është besimtarë ai që pi alkool gjatë kohës kur e pi atë …" [1]

Dëmet e alkoolit janë të pallogaritshme, ndërsa pasojat e tij janë të kobshme. Ai është shkaktari i dëshpërimit pa fund, i brengosjes dhe trishtimit. Alkooli ia humb njeriut dinjitetin, nderin dhe amanetin. Ai ia largon ndjenjën e turpit, ia shkatërron moralin, ia humb virtytet dhe i mëson veset më të këqia.

Shejhu i nderuar Salih el Feuzani (Allahu e ruajt!) ka thënë: “Dëmet e alkoolit dhe bixhozit për shoqërinë dhe ekonominë botërore janë të padiskutueshmë dhe të njohura nga çdo njeri me mendje të shëndoshë, e sidomos nga besimtarët. Alkooli e dëmton trupin duke i shkaktuar  sëmundje të rrezikshme. Ai dëmton venat e gjakut, sëmur zemrën, mëlçinë, shpretkën, trurin etj. Alkooli e dëmton rëndë trupin e njeriut, duke ia dobësuar sistemin imunitar, e për pasojë e ka më të vështirë t’i përballoj sëmundjet. Alkooli e turbullon mendjen dhe e bën njeriun të barabartë me të çmendurit. Ai e shkatërron moralin dhe e bën më të lehtë rënien në imoralitet.

Alkooli i fut njerëzit në armiqësi mes veti, duke bërë që të hamendësojnë atë që realisht nuk ekziston. Ai bën që njeriu ta shohi veten se është guximtar e sypatrembur, despot fuqiplotë e bujar i pashembullt, ndërsa në të vërtetë, ai mund të jetë frikacak si një pulë, më i pistë se një bajgë, më i trashë se gomari, e më i ndyrë se derri. E mjerueshme është gjendja e alkoolistit i cili duke e pirë atë, bën njërin nga gjynahet më të mëdha. Gjuha e tij llomotit fjalët më të kota, madje ndoshta ndodh që të shajë Zotin e Madhëruar, të Dërguarin e Tij, apo fenë islame. Apo, ndoshta shan dhe mallkon babain dhe nënën e tij, apo dikë prej njerëzve të afërm. E mjerueshme është gjendja e tij, kur i lag pantallonat pa e ndjerë as vetë, kur qesh e zgërdhihet më kot, kur, pa asnjë shkak zë e qan si fëmijë me lot, kur tallen me të fëmijët dhe mendjelehtët, ndërsa të mençurit larg i qëndrojnë…”[2]

Përktheu: Edmond AJDINI

© all rights reserved


[1] E transmeton Buhariu me nr. 6809

[2]El khutabu el minberije” vëll. III

Hosting & Design: Albwebs.net Të gjitha te drejtat e rezervuara Ril-al.com 2010-2011.